Media Integrity Action/ “Kam pasur fatin të punoj me emra të mëdhenj të gazetarisë”, Alida Tota: Institucionet e kanë tradhtuar besimin e punonjësve të medias

Media Integrity Action/ “Kam pasur fatin të punoj me emra të mëdhenj të gazetarisë”, Alida Tota: Institucionet e kanë tradhtuar besimin e punonjësve të medias

Gazetarja Alida Tota ka rrëfyer përballë gazetarit Fatmir Popja për podcastin “Media Integrity Action” të SGPM një pjesë të eksperiencës së saj gati 30-vjeçare të nisur herët në median shqiptare si bashkëpunëtore me emra të njohur të gazetarisë në Shqipëri.

Ajo përmendi gazetarët Aldon Lipe, Zamira Koleci, Milena Selimi, Genc Ymeraj, Genta Shijaku të cilët sipas saj kanë lënë një shenjë në gazetarinë cilësore në Shqipëri.

Më pas bashkëpunimet dhe punën e saj në Radio Tirana apo Top Channel në vitet 2000 ku pati një frymë krejt ndryshe nga ajo me të cilën përballen gazetarët dhe punonjësit e medias sot.

INTERVISTA E PLOTË

Tota që nuk ka munguar me zërin e saj dhe si aktiviste për të drejtat e gazetarëve, lirinë e medias tha se asnjë sukses nuk është i arrirë nëse nuk ke një bashkëpunim dhe një frymë pune në grup. Ajo tha se suksesin e saj do t’ia dedikonte bashkëpunëtorëve me të cilët ka punuar në redaksitë e ndryshme.

Gazetarja e njohur foli më tej për problemet me të cilat përballen gazetarët duke nisur nga censura, te presionet, dhuna etj. Ajo tha se Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias është një garanci për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Tota tha se institucionet duhet të bashkëpunojnë me SGPM për përmirësimin e kushteve të tyre dhe lirinë e shtypit.

“Është një sipërmarrje e vështirë kjo e juaja, të cilës bëj thirrje t’i bashkohen jo vetëm kolegët tanë gazetarë dhe punonjës të mediave, por edhe institucionet. Pse them institucionet, sepse shpeshherë, duke nisur nga Inspektorati i Punës, të gjithë titullarët e kanë tradhtuar besimin e tyre”, tha Tota.

Ndërkohë gazetari Popja tha se gjatë këtyre viteve, gazetarët i kanë humbur shumë nga liritë e fituara më herët.