Media Integrity Action/ “Kornizë juridike për gazetarët”, Arsen Rusta: Të marrim shembull nga Italia

Media Integrity Action/ “Kornizë juridike për gazetarët”, Arsen Rusta: Të marrim shembull nga Italia

Në episodin e tretë të Podcastit Media Integrity Action nga Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias gazetari Enrik Mehmeti ka pasur përballë gazetarin e njohur të terrenit Arsen Rusta, i cili ka folur për shumë çështje të rëndësishme dhe problemet konkrete me të cilat përballen gazetarët dhe punonjësit e medias.

Rusta sugjeroi si shembull për Sindikatën e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias Italinë, e cila ka dhe Urdhrin e Gazetarët, që krijon një mbrojtje dhe mbështetje shumë të mirë.

Ai foli dhe për një nismë të ndërmarrë nga ai vetë për të krijuar një lëvizje në media.

“Vendosa të bëj një ftesë publike shumë kolegëve në një të ashtuquajtur Lëvizja e Gazetarëve. Anatemimi ishte kujt krahu politik i përket. Për mua nëse në shumë korniza juridike në hedhim sytë përtej Adriatikut, do duhet brenda 2025 duhet të kopjojmë një kornizë juridike që ka Italia për gazetarët. Në ndryshim nga shumë vende të tjera të botës Italia ka Urdhrin e Gazetarëve”, tha Rusta.

Ai ndau dhe vështirësitë me të cilat ndeshen gazetarët e terrenit.

“Elita politike shqiptare s’ka ndryshuar, por nga ana tjetër dhe elita e kolltukut mediatik nuk ndryshon. Tani kanë gjetur një metodë të re, për të penguar riciklimin natyral të elitave. Gazetarëve të terrenit në momentin e arritjes së një pjekurie profesionale iu pamundësohet marrja e një përgjegjësie më tepër. Që do të thotë drejtimi i një redaksie, drejtimi i një emisioni, drejtimi i një stafi, qoftë dhe për të dhënë eksperiencën e tij”, u shpreh ai.

Mehmeti dhe Rusta folën dhe për censurën në media dhe format e tjera të komunikimit që kanë zgjedhur gazetarët.

Enrik Mehmeti: Ka censurë nga media, por rruga që kemi zgjedhur unë, ti apo shumë të tjerë janë rrjetet tona sociale.

Arsen Rusta: Rrjeti jot social është pasuria jot, kompjuteri, portali, logoja është pasuria e pronarit. Absolutisht nëse ai vendos për një editorial që nuk botohet, nuk do të botohet, është biznesi i tij. Por të qenit gazetar nuk të pengon, nëse ti e ke kontratën korrekte ta shprehësh te “Facebook”-u jot.

Sa i përket mënyrës së komunikimit nga institucionet, ai tha se çdo politikan pa median tradicionale është i shkëputur nga publiku.

“Jemi të gjithë të barabartë. Sot gazetarët të cilët nuk kanë arsye të censurojnë, por ama kanë arsye të protestojnë le të ketë Tik Tok, Facebook, rrjete sociale, median e tij, kryeministri, kreu i opozitës, kryebashkiaku, çdo politikan pa median tradicionale është i shkëputur nga publiku, masa. Gazetarët që e bëjnë këtë urë lidhëse janë të varur vetë”, u shpreh Rusta.

Lidhur me SGPM, ai tha se ka një bërthamë mjaft të mirë.

Arsen Rusta: Uroj që mos të jetë organizata fitimprurëse e radhës! Uroj të jetë një sindikatë dhe besoj që do jetë për mjaft arsye sepse aty ka një bërthamë mjaft të mirë, siç janë dhe korrespodentët e rretheve. Çdo korrespodent për mua vlen më shumë se një kryeredaktor apo një drejtor lajmesh sepse përballet i vetëm me gjithçka.

Uroj që kjo sindikatë me një bërthamë të rëndësishme të ketë një rrugë pa kthim dhe rrugë të gjatë!

Enrik Mehmeti: Ajo që më bindi të bëhesha pjesë e kësaj iniciative ishte fakti se nuk ishin njerëz me objektiva për interesa të tyre, por njerëz që donin të punonin dhe luftonin për të drejtat e punonjësve.