
“Pa gazetarë të mirëpaguar, nuk ka gazetari cilësore”
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM) është organizata e parë sindikale për gazetarët dhe punonjësit e medias e shtrirë në të gjithë vendin. Prej fillimit të korrikut të vitit 2023, SGPM u prezantua te partnerë seriozë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët punojnë dhe mbështesin fuqizimin e lëvizjes punëtore dhe sindikatave të tyre, në përpjekjet e tyre për dinjitet, respekt, paga të drejta, kushte më të mira pune dhe një zë në ekonominë globale.
Në shkurt 2024, SGPM u regjistrua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Kjo sindikatë synon fuqizimin dhe aftësimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias në promovimin e të drejtave dhe lirisë së shtypit nëpërmjet finalizimit të nënshkrimit të kontratave kolektive me punëdhënësit e mediave.
Në aktivitetet tona të deritanishme kemi vlerësuar gjendjen problematike në të cilën punojnë gazetarët dhe punonjësit e medias:
- Të papaguar (pagat të pamjaftueshme, të paindeksuara dhe në shumë raste pagesa informale);
- Punë pa orar, orë të papaguara;
- Mosrespektimi i lejes vjetore sipas Kodit të Punës;
- Presione të brendshme dhe të jashtme;
- Censura;
- Kërcënime për jetën, rreziqet;
- Paragjykimet;
- Mungesë infrastrukture dhe logjistike;
Vizioni ynë
SGPM synon ndryshimin e gjendjes dhe situatës
në të cilën punojnë sot gazetarët dhe punonjësit e medias: dinjitet dhe respekt në punë së bashku me pagën dhe përfitimet
SGPM kërkon të kontribuojë për një gazetari cilësore
dhe të lirë e realizuar nga gazetarë të mirëpaguar, që punojnë me rregulla të përcaktuara sipas legjislacionit dhe me kontrata pune të mirërregulluara.
Të ecim drejt finalizimit të statusit të gazetari
me qëllim t’i garantojmë siguri, financim, mbrojtje dhe integritet profesional.
Kompensim të drejtë dhe përfitime të tjera
vendosja e strukturave standarde të pagave, lejet e paguara, raportet shëndetësore
Zhvillim profesional
ofrimi i burimeve për trajnime dhe përshtatja e punonjësve të medias me teknologjinë më të fundit.
Diversiteti dhe gjithëpërfshirja
ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë, duke luftuar paragjykimet mbi baza gjinore, race dhe etnie.