Statusi financiar dhe pronësor/ SGPM mbështetje të plotë për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së: Institucionet në Kosovë të reagojnë

Statusi financiar dhe pronësor/ SGPM mbështetje të plotë për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së: Institucionet në Kosovë të reagojnë

Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Shqipëri (SGPM) mbështet plotësisht kërkesat e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së për statusin financiar dhe pronësor dhe i bën thirrje institucioneve në Kosovë të reagojnë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, SGPM deklaron se mosveprimi për zgjidhjen e statusit ligjor dhe financiar të RTK-së jo vetëm që minon funksionimin e saj, por rrezikon edhe pavarësinë editoriale dhe cilësinë e raportimit.

Vetë Spertk shprehu dy ditë më parë se indinjatën që edhe në kohë fushatash zgjedhore “dëgjojmë premtime për rritje pagash, ndërkohë që RTK-ja operon me një buxhet 2.2 milionë euro më të ulët. Për më tepër, rritja e pagave për punonjësit e RTK-së nuk ka ndodhur që nga viti 2006, duke dëshmuar një neglizhencë të madhe ndaj të drejtave të tyre”.

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës apeloi te të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës që të kthejnë vëmendjen ndaj transmetuesit publik, i cili ndodhet në një gjendje të rënduar financiare dhe infrastrukturore.

Reagimi i SGPM në mbështetje të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Shqipëri (SGPM) shpreh mbështetjen e saj të plotë për Sindikatën e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Spertk dhe solidarizohet me shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e vendimeve nga Kuvendi i Kosovës për zgjidhjen e statusit të RTK-së.

Një media publike e pavarur dhe e qëndrueshme është themeli i një shoqërie demokratike, dhe mbrojtja e kësaj pavarësie duhet të jetë prioritet për çdo shtet që respekton lirinë e medias dhe interesin publik. Mosveprimi për zgjidhjen e statusit ligjor dhe financiar të RTK-së jo vetëm që minon funksionimin e saj, por rrezikon edhe pavarësinë editoriale dhe cilësinë e raportimit.

SGPM i bën thirrje institucioneve përkatëse të Kosovës që të adresojnë sa më shpejt këtë çështje të rëndësishme dhe të garantojnë kushtet e nevojshme që RTK të funksionojë si një media publike e fuqishme dhe e besueshme.

Në këtë kohë sfidash për gazetarinë dhe mediat, ne qëndrojmë të bashkuar me kolegët tanë në Kosovë dhe theksojmë rëndësinë e solidaritetit për të mbrojtur pavarësinë dhe të drejtat e punonjësve të medias kudo në rajon.
Së bashku më të fortë, për një media të lirë dhe të pavarur!
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Shqipëri.