Nga Lindita Kokaj
Lëvizja e 8 dhjetorit 1990 hodhi themelet e rrugëtimit “Për Liri dhe Demokraci. E duam Shqipërinë si gjithë Europa” drejt të ardhmes europiane. Shtegtimi në këtë rrugë po vazhdon ende gjatë këtyre 34 viteve me flijime, mundime, djersë e sakrificë.
Të rinjtë ishin ata të cilët iu drejtuan dyerve të ambasadave për t’ u nisur me hov në kërkim të ëndrrës dhe shpresës.
Edhe sot shumë prej të rinjve të 1990-ës prehen maleve, brigjeve të lumenjve dhe përrenjve në kufirin grek, apo të përpirë nga deti Adriatik, Otrantoja, dhe familjarët e tyre nuk kanë ku tu bëjnë homazhe. Ata të rinj shtegtuan, por ëndrrat dhe shpresat e tyre u shuan.
Kjo ditë le të jetë homazh për shpirtrat e tyre.
Të rinjtë shqiptarë të 1990-ës, të cilët në shtegtimin e tyre drejt ëndrrës europiane u përballen me dhunë, me racizëm por në disa vende dhe mikpritje. Ata sfiduan dhe përballuan çdo sfidë duke arritur të integrohen si në Europë, SHB, Kanada etj.
Me gjakun, mundin dhe djersen e tyre u ndërtua Shqipëria post-komuniste. U ndërtuan banesa për familjet e tyre. Me të ardhurat e të rinjve emigrantë familjet shqiptare sfiduan skamjen dhe varfërinë.
Shumë prej tyre investuan në Shqipëri në biznese dhe veprimtari të ndryshme.
Ne ishim të panjohur për Europen dhe Europa e panjohur për ne. Ishin pikërisht të rinjtë, emigrantët e parë shqiptarë si lajmëtar të ekzistencës së një populli me plot ëndrra dhe shpresa. Janë sa e sa të rinj dhe të reja që shkëlqyen në shkollat dhe auditorët e universiteteve europiane dhe jo vetëm duke u integruar shumë shpejt në vendet ku jetojnë dhe punojnë.
Në art, kulturë, shkencë, sport dhe shumë fusha të tjera, të rinjtë shqiptarë u bënë “Ambasadorët e Parë” të Shqipërisë në Europë duke prezantuar vlerat, traditën, historinë dhe kulturën e Shqipërisë kudo në botë.
Të rinjtë shqiptarë janë “motori dhe shpirti” i çdo fushate elektorale në këto 34 vite në Shqipëri dhe sërish lihen në harresë në përpjekjen e tyre sfiduese drejt ëndrrës europiane.
Ata jetojnë në shtetin amë në liri, por pa liri. Ata jetojnë këtu në demokraci, por pa demokraci, me shpresë që një ditë Shqipëria do të jetë si gjithë Europa.
Shtegtarë të përjetshëm në “udhëkryqet” e vendit tonë, shtegtarë të përjetshëm në udhët europiane, amerikane, kanadeze dhe australiane.
Shtegtimi i të rinjve shqiptarë vazhdon me ritëm të lartë edhe sot pas 34 vitesh me ëndrra dhe shpresë për një “Shqipëri si gjithë Europa”.
E vargjet e Migjenit “Kanga e rinisë” janë mesazhi më kuptimplotë i çdo 8 dhjetori.
* Lindita Kokaj është përkthyese dhe gazetare prej dy dekadash, anëtare e SGPM