VKM e llogaritjes së pagave për mësuesit/ Shqyrtohet në Gjykatë Kushtetuese padia e SBASH, Lama: Jemi shpresëplotë për një vendim pozitiv

VKM e llogaritjes së pagave për mësuesit/ Shqyrtohet në Gjykatë Kushtetuese padia e SBASH, Lama: Jemi shpresëplotë për një vendim pozitiv

Në Gjykatën Kushtetuese është shqyrtuar më 26 qershor kërkesa e sindikatës së mësuesve për të shfuqizuar një pjesë së VKM që kategorizon pagën e mësuesve. Sipas Sindikatës qeveria po diskriminon një pjesë të edukatorëve dhe mësuesve të arsimit të ulët, por prek gati 1 në 3 arsimtarë në vend.

Bëhet fjalë pikërisht për kategorinë 2 dhe 3 të nivelit të diplomave, që sipas lidhjes 4 të VKM-së, përcakton vlerë shtesë në pagë sipas kualifikimit 10 mijë dhe 12 mijë lekë shtesë, ndryshe nga një kategori më sipër, që shpërblehet 14 mijë lekë.

Pas seancës në Kushtetuese, Presidentja e SBASH, Alma Lama deklaroi se jemi shpresëplotë për një vendim pozitiv në favor të mësuesve.

POSTIMI I PLOTË
Sapo dolëm nga seanca gjyqësore për pagën e mësuesve – jemi shpresëplotë për një vendim pozitiv të Trupës së Nderuar të Gjykatës Kushtetuese.
Por ajo që na dogji më fort nuk ishin pyetjet e gjyqtarëve, por ajo që dëgjuam nga përfaqësuesja e DAP:
“Jemi takuar tri herë me dy sindikatat që njeh MAS dhe ata janë të qartë. Nuk kanë referuar asnjë ankesë as në MAS as tek ne.”
Qartë për çfarë?
Për heshtjen? Për përthithjen e benefiteve në kurriz të mësuesve?
Turpi nuk është tek mungesa e ankesave – por tek fshirja sistematike e realitetit të atyre që përfaqësohen vetëm në letra, por kurrë në zgjidhje.
Të nderuar mësues,
Mos e lejoni heshtjen të vishet me kravatën e autoritetit. Mos i lini të ndërtojnë privilegje mbi heshtjen tuaj. Mbajini larg – këta përfitues të pashpirt të djersës tuaj, që kur duhet të ngrinin grevën, shtrënguan duart me qeverinë dhe ulën kokën para çdo padrejtësie.
Populli thotë: “Më mirë djepi thatë, se djalli në të.”
Dhe ja ku jemi: me një sistem që po përpiqemi të mbrojmë nga djalli që sillet si engjëll.
Larg, larg, larg!
Mësues, reagoni. Mos u mashtroni. Koha është tani.
Veprimtaria jonë nuk do të ndalet asnjëherë. Mbështetja juaj na jep fuqi.
SBASH – PËR TË FITUAR SË BASHKU!
Kjo nuk është sindikata ime apo e një grushti njerëzish – është sindikata juaj.