Zgjedhjet, SGPM: Gazetarët po pengohen, rrezikohet misioni i informimit të publikut!

Zgjedhjet, SGPM: Gazetarët po pengohen, rrezikohet misioni i informimit të publikut!

KOMUNIKATË PËR SHTYP
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit që lidhen me incidentet ku janë përfshirë gazetarë dhe punonjës të medias në Shqipëri, gjatë kryerjes së detyrës së tyre për të raportuar mbi procesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
SGPM shpreh shqetësimin e thellë për shkeljen e standardeve të një medieje të lirë dhe të pavarur, si dhe për rrezikimin e misionit të informimit të publikut. Në ditët e fundit, gazetarët janë penguar të ushtrojnë profesionin e tyre pranë qendrave të votimit dhe numërimit, ndërsa përfaqësues të subjekteve politike dhe eksponentë, përfaqësues së institucioneve shtetërore janë përfshirë në veprime të intimidimit, presioni dhe dhune ndaj tyre.
Rastet e pengimit dhe intimidimit ndaj gazetarëve Ambrozia Meta (Syri TV), Elsa Xhindole (MCN TV), Enriko Gaba (Euronews Albania), Armando Rabi (Apollon TV), si dhe rasti i fundit i gazetares Alketa Shaba (Top News), e cila u pengua në kryerjen e detyrës nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, përbëjnë një shkelje të rëndë të lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
Sindikata thekson se këto episode janë kambanë alarmi për institucionet shqiptare, të cilat duhet të ndërhyjnë menjëherë për të garantuar lirinë e medias dhe sigurinë fizike e profesionale të gazetarëve. SGPM u bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë të hetojnë çdo rast dhune apo pengese ndaj gazetarëve dhe të ndëshkojnë autorët sipas ligjit.
Mbrojtja e gazetarëve nuk është vetëm detyrim ligjor, por një parakusht themelor për një demokraci funksionale dhe për një proces zgjedhor të ndershëm e transparent.