Media Integrity Action/ Miranda Kastrati: Vetëm të bashkuar mund të sjellim ndryshim dhe të mbrojmë të drejtat tona si profesionistë të medias

Media Integrity Action/ Miranda Kastrati: Vetëm të bashkuar mund të sjellim ndryshim dhe të mbrojmë të drejtat tona si profesionistë të medias
Në episodin e shtatë të Podcastit Media Integrity Action nga SGPM, gazetarja dhe Presidentja e SGPM Miranda Kastrati përballë gazetares Fjona Çela ka folur për krijimin e kësaj organizate për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të medias.
Pse gazetarët duhet të bashkohen me sindikatën?
Kastrati ka diskutuar mbi rëndësinë e organizimit sindikal për gazetarët dhe punonjësit e medias.
“Vetëm të bashkuar mund të sjellim ndryshim dhe të mbrojmë të drejtat tona si profesionistë të medias”, tha Miranda Kastrati.
https://www.youtube.com/watch?v=Lz-3CjIq_Yk
Shpesh thuhet se gazetarët janë ushtarë në mbrojtje të opinionit publik, por realiteti është shumë më kompleks. Në një treg mediatik të dominuar nga interesa ekonomike dhe politike, shpesh gazetarët nuk kanë lirinë për të raportuar të vërtetën, por varen nga “racioni” i radhës që u caktojnë pronarët e medias.

“Ky është një moment historik dhe i veçantë për gazetarinë shqiptare, pasi për herë të parë kemi krijuar një sindikatë të vërtetë për gazetarët dhe punonjësit e medias. Kjo organizatë lindi si nevojë e vetë gazetarëve dhe punëmarrësve në media për t’u mbrojtur përballë punëdhënësit në një realitet të vështirë, sfidues që e ka bërë më të vështirë punën e medias në përgjithësi dhe të parët ata që përballen me problemet janë gazetarët dhe punonjësit e medias. Gazetarët janë ata që flasin për problemet e shumta të shoqërisë dhe bëhen zëri për çdo shtresë që kërkon të bëhen publike problemet e saj, por për problemet e tyre nuk flasin kurrë. Çdo gjë kalon në heshtje dhe gazetarët përbijnë problemet që kanë me pagat, me sigurimet shoqërore e shëndetësore, me oraret, me mungesën e kushteve minimale të punës, me arrogancë nga punëdhënësit dhe më tej në ambientin ku duhet të punojnë, me kërcënime, me presione, me cinizëm e indiferencë nga institucionet. E vetmja mënyrë është zgjidhja e problemeve individualisht, në shumë raste me kompromise që bien ndesh dhe me kodin e punës dhe në shumë rast dhe me gjuhën e të fortit. Sindikata synon të përfaqësojë gazetarët dhe punonjësit e medias te punëdhënësi duke kërkuar lidhjen e kontratave kolektive që të adresojë shumë mangësi që nuk zgjidhen përmes kontratave individuale në ato raste kur ekzistojnë. Gazetarët kanë nevojë për paga të denja që t’ia dalin të jetojnë, të mbajnë familjet dhe të kenë një jetë cilësore”, tha Kastrati.

Ajo theksoi se gazetarët dhe punonjësit e medias duhet të kenë orare të përballueshme dhe puna jashtë orarit zyrtar duhet të paguhet sipas ligjit.

“Duhet të kenë të sigurta mjedise pune dhe mjete të nevojshme për të zhvilluar si duhet punën e tyre. Duhet të rrisin kapacitetet dhe të lejohen të trajnohen dhe të përmirësojnë njohuritë e tyre duke u rritur profesionalisht. Sindikata synon të luftojë për të gjitha këto të drejta të munguara të gazetarëve dhe punonjësve të medias në Shqipëri”.

Por pse ishte e domosdoshme te krijohej një Sindikate, cili është ndryshimi nga shoqatat, unionet apo struktura te tjera.

“Ligji shqiptar i njeh të drejtën e hyrjes në një marrëdhënie me punëdhënësit vetëm sindikatën. Pra sindikata ka të drejtën të përfaqësojë dhe ligjërisht në një proces gjyqësor anëtarët e saj. Janë disa çështje ku Sindikata ka një marrëdhënie më specifike me anëtarët e saj.

  • Sindikata nëpërmjet strukturave të saj mund ta ndihmojë punëmarrësin në përmirësimin e aftësive profesionale, ta ndihmojë atë me këshilla dhe orientime mbi legjislacionin e marrëdhënieve të punës, kushtet e punës dhe të shëndetit në punë, rregullat e miratuara nga punëdhënësi dhe zbatimin e kontratës individuale dhe kolektive të punës, kur është rasti.
  • Sindikata mund të mbrojë anëtarët e saj, nëpërmjet parashikimeve mbrojtëse të bëra në kontratat kolektive të punës.
  • Sindikata mund të ndihmojë punonjësit që të mbrohen në mënyrë individuale duke i dhënë këshilla përpara nënshkrimit nga punëmarrësi të kontratës individuale të punës. Sindikata ka të drejtë që të mbrojë anëtarët e saj kur u cenohen interesat nga punëdhënësi, ose kur nuk respektohen dispozitat në kontratën individuale apo kontratën kolektive të punës, duke iu drejtuar gjykatës përkatëse me një kërkesë, sipas legjislacionit civil.

Nga ana teorike për nga qëllimi Sindikata është një organizatë që mbron interesat e punonjësve, negocion për kontratat kolektive dhe të drejtat e punëtorëve përmes grevave, protesta dhe aksioneve ligjore, ndërsa Shoqata është një grup individësh që bashkohen për të realizuar një qëllim të përbashkët, që mund të jetë kulturor, edukativ, social, sportiv etj. Shoqatat zakonisht nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me punën dhe kushte të punës, por kanë një gamë më të gjerë aktivitetesh.

Anëtarësimi në sindikatë është zakonisht i lidhur me një vend pune dhe është i hapur për punëtorët e një sektori të caktuar, ndërsa shoqatat mund të jenë të hapura për çdo person”, tha Kastrati.

Ajo shtoi se nga  ana politike sindikatat shpesh janë të lidhura me lëvizje politike që mbrojnë interesat e punonjësve dhe për të kërkuar ndryshime ligjore që përmirësojnë kushtet e punës.

Sindikatat janë të rregulluara nga ligje të veçanta që mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe rregullojnë veprimtarinë e sindikatave.

Por sa i rëndësishëm është organizimi nga punonjësit e mediave për mbrojtjen e te drejtave te tyre?

“Gazetaria është shtylla e katërt e demokracisë ose pushteti i katërt. Gazetarët dhe punonjësit e medias e dinë këtë në teori, e dinë forcën e medias, por nuk e ushtrojnë këtë pushtet që kanë as për të drejtat e tyre. Ne e shohim shumë të rëndësishëm organizimin e tyre në radhë të parë për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe sigurimin e kushteve të favorshme për të ushtruar profesionin dhe së dyti dhe me lirinë e medias, mundësinë për të qenë vërtetë pushteti i katërt dhe për të kërkuar llogari nga institucionet. Por si mund të kërkohet llogari nga institucionet dhe të kërkohet demokraci e siguri, kur vetë gazetarët dhe punonjësit e medias nuk arrijnë të kërkojnë të drejtat e tyre përballë punëdhënësit dhe nuk e ngrenë zërin për ato që u garanton ligji? Ndaj mendojmë që informacioni për t’u organizuar, për të drejtat që kanë të garantuara nga ligji shqiptar, kodi i punës do t’i bëjë më të fortë dhe më të pavarur, por gjithashtu do ndikojë dhe në përmirësimin e lirisë së medias dhe ushtrimin e lirive nga e gjithë shoqëria shqiptare”, tha Presidentja e SGPM.

Çfarë premton kjo Sindikate për të ardhmen, pse duhet të anëtarësohen gazetarët dhe punonjësit e medias?

“Sindikata sot në Shqipëri për punonjësit e medias është domosdoshmëri që çdo punonjës të bëjë punën e tij në një mjedis dinjitoz në të gjitha aspektet.

Të gjithë i kemi konstatuar problemet dhe i kemi folur me njeri-tjetrin, nuk kanë munguar dënimet kolektive në rrjete sociale, por mungon organizimi. Vetëm nëpërmjet bashkimit dhe organizimit mund në një sindikatë mund të lobojmë për një marrëdhënie të rregullt pune, për kontrata kolektive dhe individuale, që mbrojnë të drejtat tona dhe dinjitetin tonë.

Nga ana tjetër presionet politike dhe censura nuk do të jenë më një kërcënim për gazetarët e bashkuar. Nëse i bashkohesh sindikatës do të kesh asistencë juridike, ndihmë ligjore, trajnim, siguri se të drejtat e tua mbrohen dhe dikush e ngre zërin për ty si anëtar. Po kjo mund të ndodhë vetëm nëse 2-3-5-10-100 apo 1000 bëhen bashkë duke i dhënë fuqi zërit të mekur që kanë sot gazetarët dhe punonjësit e medias. E dimë që është e vështirë, sfidat janë të shumta, por sindikata është e vetmja derë e hapur për çdo gazetar dhe punonjës të medias që kërkon të përmirësojë jetën e tij nëpërmjet punës”, tha Kastrati.

https://www.youtube.com/watch?v=Lz-3CjIq_Yk