Nga Blerjana Bino
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit 2025, Shqipëria ndodhet në një pozitë të dykuptimtë: e renditur e 80-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke shënuar një ngjitje të dukshme prej 19 vendesh nga viti i kaluar. Në pamje të parë, kjo përparësi mund të duket si një progres i mirëfilltë; në fakt, disa masa të ndërmarra për mbrojtjen e gazetarëve dhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që riafirmon të drejtën e gazetarëve për të mbrojtur burimet, kanë krijuar një vrull pozitiv. Megjithatë, përtej kësaj fasade optimizmi, realiteti mbetet i zymtë. Përmirësimi i renditjes së Shqipërisë vjen kryesisht si pasojë e një rënieje relative të lirisë së shtypit në vende të tjera, dhe jo për shkak të përmirësimeve domethënëse brenda vendit. Ashtu si Sizifi që shtyn gurin në majë të kodrës vetëm për ta parë të rrokulliset sërish poshtë, progresi i dukshëm i Shqipërisë maskon probleme të thella dhe të qëndrueshme sistemike.
Disa përfitime për sigurinë e gazetarëve
Disa masa institucionale dhe reforma politike, të nxitura kryesisht nga angazhimet e Shqipërisë për anëtarësim në BE, kanë gjeneruar një vrull premtues për sa i përket sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medias. Këto përfshijnë miratimin e Hartës Rrugore për Shtetin e së Drejtës dhe të Hartës për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, të cilat përmbajnë masa për përmirësimin e pavarësisë së medias, transparencës së pronësisë dhe mbrojtjes së gazetarëve.
Masa të rëndësishme përfshijnë një protokoll të veçantë nga Prokurori i Përgjithshëm për hetimin e krimeve ndaj gazetarëve, emërimin e pikave të kontaktit të specializuara në polici dhe prokurori, dhe punën për krijimin e një protokolli të sigurisë për gazetarët në Policinë e Shtetit. Premtimet për dekriminalizimin e shpifjes dhe zbatimin e direktivës së BE-së kundër padive SLAPP përbëjnë gjithashtu një hap në drejtimin e duhur. Pjesëmarrja e Shqipërisë në fushatën e Këshillit të Europës “Siguria e Gazetarëve” pasqyron një ndërgjegjësim institucional në rritje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi urdhrat e shkallës së parë për kontrollin dhe sekuestrimin e pajisjeve të një gazetari, forcoi rëndësinë e mbrojtjes së burimeve gazetareske dhe të lirisë së shprehjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Hendeku i madh i reformave
Këto përpjekje janë plotësuar me një dialog të strukturuar për reformën në media, të mbështetur nga BE-ja dhe Këshilli i Europës. Kjo nismë bashkon institucionet publike, shoqërinë civile, akademinë dhe profesionistët e medias për të trajtuar çështje kyçe si siguria, kushtet e punës, qasja në informacion dhe vetërregullimi. Megjithatë, pronarët e medias nuk janë përfshirë ende në mënyrë domethënëse dhe angazhimi në nivel të lartë politik ka qenë i paqëndrueshëm. Po ashtu, edhe pse Autoriteti i Mediave Audiovizive ka miratuar rregullore të reja për të rritur transparencën në pronësinë e medias, këto nuk adresojnë çështjen më themelore: shumë pronarë mediash kanë interesa tregtarë në kontratat shtetërore, duke krijuar konflikte të qarta interesi. Pa trajtuar këto ndërthurje të thella, pluralizmi i vërtetë mediatik dhe pavarësia editoriale do të mbeten të paarritshme.
Probleme strukturore që pengojnë gazetarinë e pavarur në interes publik
Problemet kryesore mbeten thellësisht të rrënjosura në peizazhin mediatik: një lidhje e ngushtë mes ndikimit politik, pronësisë së përqendruar të mediave, interesave të biznesit dhe rrjeteve të fuqishme informale që së bashku kufizojnë dhe formësojnë lirinë gazetareske.
Nga janari deri në prill 2025, Rrjeti SafeJournalists ka regjistruar 12 shkelje ndaj gazetarëve, më shumë se gjysma prej tyre ndaj grave. Shumica përfshijnë sulme verbale, kërcënime dhe frikësime – shenja të qarta të një mjedisi mediatik ende të dominuar nga armiqësia politike dhe pandëshkueshmëria. Mediat e pavarura, veçanërisht ato që merren me verifikim faktesh dhe gazetari hulumtuese, shpesh bëhen objekt i fushatave për delegjitimim të udhëhequra nga figura politike ose përfaqësuesit e tyre, të amplifikuara nga ngacmime të organizuara online dhe fushata dezinformuese. Një sondazh i gjerë sektorial tregon përmasat e këtyre presioneve: gazetarët përmendin mbrojtje të pamjaftueshme ligjore (74.1%), ndërhyrje politike (71.9%), mungesë mbështetjeje institucionale brenda redaksive (62.6%), presion ekonomik nga pronarët dhe reklamuesit (59%), dhe reagime të dobëta institucionale nga policia dhe gjyqësori (53.2%) si kërcënimet më të mëdha ndaj sigurisë dhe pavarësisë së tyre profesionale.
Shumica e këtij presioni vjen nga një strukturë pronësie mediatike e dominuar nga një grup i vogël interesash të fuqishme biznesi me lidhje të ngushta politike. Linjat editoriale shpesh pasqyrojnë agjenda më të gjera tregtare, duke kufizuar hapësirën për gazetari kritike apo të pavarur. Si pasojë, besimi i publikut bie, me shumë qytetarë që e shohin median jo si burim informacioni të besueshëm, por si një zgjatim të ndikimit politik apo ekonomik. Këto nuk janë çështje të izoluara: janë simptoma të një sistemi mediatik strukturalisht të anuar kundër llogaridhënies dhe gazetarisë në interes publik.
Pasiguri ekonomike
Cenueshmëria e gazetarëve në Shqipëri përkeqësohet edhe më shumë nga kushtet e pasigurta ekonomike. Punësimi në sektorin e medias është shpesh i paqëndrueshëm, me paga të ulëta ose të parregullta, kontrata informale apo afatshkurtra, dhe qasje të kufizuar në mbrojtje ligjore e sociale. Një numër i konsiderueshëm gazetarësh raportojnë se punojnë pa marrëveshje formale, duke i lënë të ekspozuar ndaj pasigurive në punë dhe tekave të punëdhënësve. Sipas të dhënave të fundit, 42% e gazetarëve vunë re një përkeqësim të kushteve të punës gjatë vitit të kaluar. Kjo brishtësi ekonomike i bën ata më të ekspozuar ndaj presioneve politike dhe tregtare, duke e bërë më të vështirë rezistencën ndaj ndërhyrjeve apo ndjekjen e punës hulumtuese pa frikë nga hakmarrja. Kushtet e dobëta të punës nuk ndikojnë vetëm te gazetarët individualë, por dobësojnë gjithë ekosistemin mediatik duke nxitur autocensurën dhe penguar pavarësinë editoriale. Gratë gazetare përballen me barrë shtesë, përfshirë ngacmime me bazë gjinore, sulme të synuara online dhe trajtim diskriminues, duke shtuar pasigurinë e tyre në një mjedis tashmë të brishtë. Njëkohësisht, mediat e pavarura përballen me sfida të mëdha për qëndrueshmëri financiare.
Integriteti në rrezik në hapësirën dixhitale
Këto shtrembërime strukturore ndikojnë drejtpërdrejt edhe në çështjet e etikës dhe integritetit. Një numër portalesh anonime, të financuara nga politikanë, aktorë ekonomikë të fuqishëm ose rrjete kriminale, zhvillojnë fushata shpifëse, skema shantazhi dhe dezinformimi pa asnjë pasojë. Ato po përdoren gjithnjë e më shumë si mjete në betejat për pushtet politik, shpesh duke pasqyruar ose përforcuar polarizimin në Shqipëri.
Duke funksionuar jashtë çdo regjimi vetërregullues, këto portale helmojnë debatin publik dhe zëvendësojnë raportimin e bazuar në fakte. Në një ambient të tillë, kodet vullnetare të etikës dhe vetërregullimi e kanë të vështirë të gjejnë terren: mediat e ndershme konkurrojnë me faqe në hije që nuk përballen as me pasoja reputacioni dhe as ligjore. Edhe pse problemi njihet gjerësisht, sfida reale qëndron te përgjigjja: si të adresohet ky fenomen pa cenuar lirinë e shprehjes.
Çfarë duhet të ndryshojë
Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, Shqipëria ka shtyrë gurin deri në një pikë të rrugës, por rrezikon të rrëshqasë përsëri poshtë nëse nuk adreson plotësisht pengesat strukturore që vazhdojnë të bllokojnë përparimin e mirëfilltë. Çmontimi i lidhjeve të ngulitura mes politikës, interesave të biznesit, pronarëve të medias dhe rrjeteve të fuqishme informale duhet të shoqërohet me masa për kufizimin e përqendrimit të pronësisë dhe garantimin e transparencës financiare. Standardet e punës në sektorin e medias duhet të zbatohen për të siguruar që pasiguria ekonomike të mos minojë më pavarësinë editoriale.
Në të njëjtën kohë, qëndrueshmëria financiare e gazetarisë duhet të trajtohet si një shtyllë themelore e lirisë së medias, me mbështetje për mediat e pavarura për të ndërtuar modele biznesi rezistentë që mbrojnë punën editoriale nga presioni politik dhe tregtar. Mbi të gjitha, Shqipëria duhet të riafirmojë angazhimin e saj ndaj gazetarisë në interes publik që i përgjigjet realitetit të një shoqërie dixhitale, pasqyron ndryshimin shoqëror dhe kulturor, dhe është e mbështetur në etikën profesionale dhe vetërregullimin e besueshëm. Çdo gjë më pak do ta mbajë vendin të ngecur në një cikël të përparimit simbolik dhe stagnimit strukturor.