“Fajtorë pa faj”

“Fajtorë pa faj”
Nga Vangjel Shumeli
Vendimi për t’ia marrë jetën vetes përbën një shqetësim të të gjithëve dhe shtimi i rasteve të tilla tregon për një plagë shoqërore tashmë të hapur. Është e dhimbshme të dëgjosh çdo ditë në kronikat e lajmeve apo në shkrimet e gazetave dhe portaleve të ndryshme për njerëz të cilët agravojnë drejt vetëvrasjes për shkak të problemeve që u servir jeta.
Zhvlerësimi i kuptimit të jetës për shkak të një dashurie të humbur, për një konflikt apo një marrëdhënie që nuk funksionon ashtu siç ëndërrohet e dëshirohet, për një notë ngelëse apo jo të mirë në shkollë apo për pakënaqësi nga raportet dhe rregullat e bashkëjetesës familjare po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë e të rejat në vendin tonë.
Gjatë këtij viti kemi parë e dëgjuar për raste të djemve e sidomos vajzave të reja të cilat kanë zgjedhur vetëvrasjen si rrugë shpëtimi nga ngjarjet e dhimbshme të jetës.Në 90% të rasteve, personat që vetëvriten gjendjen në kushte depresioni, dhe kjo ndodh te të gjitha grupmoshat e gjinitë. Të gjendesh nën efektin e depresionit, nuk do të thotë të kesh probleme psikike apo, e thënë ndryshe në zhargonin vulgar të jetës së përditshme, “të jesh i çmendur”.
Fatkeqësisht në shoqërinë tonë, stigma e paragjykime të tilla janë të pranishme dhe mendoj se janë pikërisht këto qëndrime nihiliste, mohuese e shtypëse që çojnë drejt vetëvrasjes.Të gjithë njerëzit, ashtu sikundër edhe të rinjtë e të rejat shqiptare, po përballen me sfida dhe vështirësi të ndryshme të jetës që krijojnë vështirësi për t’u konceptuar, pranuar e zgjidhur.
Ndoshta nuk është e thjeshtë t’ia dalësh mbanë kur humbet një njeri të dashur për të cilin ke ndërtuar skema iluzioni drejt së ardhmes; kur dështon profesionalisht; kur humbet një punë, një objekt apo një person tek i cili ke investuar shumë; kur nuk merr frytet e pritshme nga një punë e madhe; kur zhgënjehesh nga padrejtësitë e jetës; kur zgjohesh në mëngjes dhe nuk ke me çfarë të ushqesh fëmijët si pasojë e borxheve të pashlyera dhe rëndesës ekonomike; kur ndihesh i pavlerësuar apo i braktisur; kur dëshirat dhe ëndrrat e thurura nuk mund të bëhen realitet si pasojë e vendimeve të të tjerëve, ku pjesë e tyre mund të jetë dhe gjëja më e shtrenjtë, familja; kur ndihesh i lodhur nga të duruarit e një dhune sistematike fizike e psikologjike; kur ndjen se gjërat nuk po përshkojnë rrjedhën e duhur dhe nuk po plotësojnë pritshmëritë individuale apo ato të të tjerëve përreth.
Është shumë e vështirë të pranosh realitetin, i cili të vret e të hedh poshtë përpara syve të tu dhe të vazhdosh me forcë përpara duke mos u ndalur. Ka persona që e bëjnë, që ia dalin mbanë me anë të sakrificave dhe lodhjeve të pashtershme, pasi arrijnë të kuptojnë rëndësinë e të jetuarit, për veten, për të afërmit dhe të dashurit e tyre dhe për gjithë shoqërinë, duke i falur jetëgjatësi të ardhmes.Po të tjerët që ndjejnë se nuk mund t’ia dalin dot? Ata që ndoshta kanë ndjeshmëri dhe ego më të lartë dhe paaftësi për të parë dritë në mes të errësirës? Çfarë duhet bërë me ta?
Pa dyshim zgjidhja nuk do të ishte, as t’i stigmatizonim si të çmendur në qoftë se ata janë të rënduar emocionalisht dhe mendërisht duke klithur fuqishëm apo së brendshmi për një vetëvrasje të mundshme, apo as duke komentuar profilin e tyre me nuanca keqardhjeje pas veprës së tyre.Mendoj se është emergjente marrja e masave, ndihmës profesionale dhe përkrahjes e mbështetjes së këtyre njerëzve, jo në kryerjen e aktit të vetëvrasjes, por në suportin e tyre para kryerjes apo tentativës së tij. Shumë njerëz që kryejnë vetëvrasje nuk e mendojnë shumë gjatë atë çka bëjnë.
Parë në këtë kontekst, kjo është normale, pasi gjendja e rënduar psiko-emocionale, prekja e trurit nga shtresa e depresionit dhe rëndesat e brendshme ua humbin atyre kthjelltësinë mendore dhe të gjykuarit ftohtë e në mënyrë racionale. Në ato momente kulminante para vetëvrasjes apo dhe në një periudhë të konsiderueshme para ndodhjes së aktit, individi është i pushtuar nga një maskë e errët e cila nuk e lë të shohë përtej asaj që po i ndodh, duke e nxitur thellësisht drejt problematikave të tyre dhe në pazotësinë e të luftuarit me veten. Sepse i gjithi ky akt e ka zanafillën në luftën e brendshme me vetveten, e cila jo më kot, është konsideruar nga filozofë, psikologë e sociologë të ndryshëm, si përballja më e vështirë e njeriut.
Këta persona pësojnë disfatë në dialog me veten e tyre dhe e shohin atë si të paaftë për t’iu përshtatur një “bote të re”, së cilës do t’i mungojë së tepërmi ajo ndodhi, ngjarje, person etj. Kështu nervat dhe ndjesitë vdesin duke shkuar drejt fundit fizik.Shumë persona të tjerë të ndërgjegjshëm kryejnë apo më së shumti tentojnë drejt vetëvrasjes për të tërhequr vëmendje. Ata kanë nevojë të shprehin revoltën e tyre të brendshme, trazirën që po i mundon shpirtin dhe traumat që kanë përjetuar.
Duke u ndjerë ekstremisht keq, të vetmuar, të lënë pas dore dhe të pavlerësuar për shkak të ndjesive të tyre, ata vendosin të shfaqen në po të njëjtën mënyrë ekstreme duke kryer një akt fatal, i cili sigurisht do të tërheqë vëmendjen e shoqërisë, mediave, njerëzve të ngushtë apo familjes, por do t’u humbë atyre kontaktin me jetën për të parë se ç’do të ndodhë më tej. Ata e kryejnë këtë akt pasi ndjejnë që askush nuk është aty për ta, për t’i ndihmuar e dëgjuar.
Shumë ankohen se më së shumti gjykohen sesa kuptohen dhe dëgjohen. Përveç stigmës dhe paragjykimeve, shoqëria shqiptare vuan edhe nga thashethemet, gjykimet e pabazuara, mendimet prapanike me një bazë të thellë në mentalitetin patriarkal dhe njollave të së kaluarës.Në këtë pikë, tronditjeve të thella nga ngjarje të ndryshme u shtohen dhe trysni të tilla sociale që agravojnë situatën, e bëjnë atë më agresive, më impulsive, me një fund rrjedhimisht të dhimbshëm.
Në vendin tonë individi ndodhet i mbytur mes stresorëve të jashtëm nga njëra anë dhe mungesës së mbështetjes e përkrahjes dhe qëndrimeve gjykuese nga ana tjetër. Mosarritja drejt një balance midis tyre prodhon çekuilibrim, kaos, tension, depresion patologjik dhe anomi. Gjendja e brendshme e rënduar përtej kufijve të ndërgjegjes dhe arsyes është ajo e cila në të pavetëdijshme, merr vendimin brutal dhe vetëshkatërrues.
Vetëvrasja e një individi përkthehet në vrasje të dënuar të një shoqërie të tërë.
Aty ku një person ia ka marrë jetën vetes, aty vazhdon t’ia marrë jetën gjithë shoqërisë.
Absurde apo jo këto arsye, pasoja është fatale duke plagosur zemrën e një babai dhe duke rrënjosur në zemrën e një nëne humbjen e një biri ose bije dhe çka është më e rëndësishmja fundin e jetës tënde. Mendoni se vetëvrasja shënon zgjidhjen e problematikës tuaj?
Nuk mendoni se vetëvrasësit janë egoistë?
Mendojnë vetëm për vete dhe harrojnë hijen e dhimbjes që lënë pas.
Në momentin që ata e marrin këtë iniciativë, tregohen guximtarë, por a nuk do të ishte më mirë që atë guxim ta përdornin për të përqafuar jetën?
Jeta është oazi që të ofron suksesin, dështimin, lotin e gëzimit dhe të hidhërimit.Duhet të luftojmë me vetveten për të përjetuar ndjesitë e ndryshme të jetës dhe nëse i dorëzohemi uljeve të saj përfundojmë fajtorë pa faj. Sfidat janë ato që na bëjnë më reflektues, më të rritur, më të fortë për të përballuar jetën e për të dalë fitimtarë ndaj saj. Asnjë sfidë, askush dhe asgjë nuk mund ta marrin jetën tënde.
Unë besoj se vetëvrasja është vetëshkatërrim, të tjerë e shikojnë si akt zgjidhjeje ,psikologët e përkthejnë akt depresiv, familjarët dhimbje të pafundme, ndërsa vetëvrasësit mbeten fajtorë pa faj. Të mos harrojmë se Askush nuk është perfekt, ndaj sigurohuni që çastet e saj të jenë të tilla.
Është i nevojshëm një ndërgjegjësim i popullsisë mbi këtë çështje, shkaqet e pasojat që sjell, si dhe përpjekje për bashkëpunim nga ana e tyre. Sepse kur një dukuri ekziston, është mirë të flitet, të diskutohet, të gjenden forma të ndryshme parandalimi, të cilat, jo domosdoshmërisht do të japin efekte të menjëhershme apo do të arrijnë të zgjidhin çdo problem në lidhje me aktin e vetëvrasjes. Por mund të shpëtojnë, mund të kurojnë, mund të zgjojnë një jetë më shumë, mund të rrisin vitalitetin dhe oksigjenin e shoqërisë sonë.Shumë prej jetëve të ikura mund të ishin ende përkrah nesh, në qoftë se në momentet e fundit do t’u thuhej një fjalë më shumë, në qoftë se do të ndërgjegjësoheshin nga një bisedë, në qoftë se do të kuroheshin…
*Vangjel Shumeli është gazetar në RTSH