“Mbyllja e RTSH”, gafë, lapsus apo për të tërhequr vëmendjen?

“Mbyllja e RTSH”, gafë, lapsus apo për të tërhequr vëmendjen?

Nga Miranda Kastrati

Në një kohë që presim me ankth zgjedhjet dhe çfarë do bëhet me Shqipërinë tonë te dashur, ku asgjë nuk është e sigurt dhe gjithçka është e pasigurt, përfshi dhe bukën e gojës, një kandidat për deputet sot, apo dhe i vetëprojektuar për kryeministër del dhe premton me bindje hedhjen në rrugë të qindra punonjësve, gazetarëve të një kompanie mediatike publike që është shqyer, gëlltitur e pështyrë nga kolegët e tij prej kohësh.

Ndërkohë që media në Shqipëri është në ditën e saj më të zezë, me mijëra punonjës që kanë të pasigurt nëse do ta paguajnë dot kredinë dhe energjinë elektrike këtë muaj, në një kohë kur qindra rrezikojnë dhe me dhjetëra po largohen nga profesioni apo nga Shqipëria; në një kohë kur media është e vetmja që mund të bëjë transparencë përballë zhvillimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është në gjendje ta nxjerrë të vërtetën lakuriqe, në një kohë që europianët apo edhe më të largëtit investohen në Shqipëri për fuqizimin e medias dhe rritjes së transparencës, demokracisë etj, kandidati që shfaqet shumë perëndimor “kërcënon” që me votën që do t’i japin qytetarët, përfshirë ata punonjës, do të hedhë në rrugë të madhe qindra të rinj, të reja, familjarë e kryefamiljarë, profesionistë dhe të talentuar, veteranë dhe figura që i kanë dhuruar pafund vendit dhe shoqërisë.

Mbase ishte për të tërhequr vëmendjen, mbase ndonjë gafë, ndonjë lapsus nxitimi, e shpresoj shumë, por ishte arsyeja pse shqiptarët duhet te mendohen mirë kë të votojnë.

Kandidati në fjalë apo dhe shumë kandidatë të tjerë bëjnë mirë ta shohin me përparësi situatën mediatike, problemet e mëdha financiare që kanë mediat pasi rrezikojnë të mbeten në mes të rrugës dhe të shtohet një kontingjent i madh azilkërkuesish në muajt në vijim.

Shumë media po shtyjnë e po tërhiqen zvarrë deri në zgjedhje, në pritje të reklamave e financimeve për të përballuar pagat e punonjësve që i marrin minimumi njëherë në dy muaj. Pa media, nuk mund të ketë as liri në Shqipëri dhe as demokraci.