Sfidat, barrierat dhe mundësitë për gratë në politikë

Sfidat, barrierat dhe mundësitë për gratë në politikë

Nga Brikena Metaj

Në skenën politike, ku financimi përbën një nga shtyllat kryesore të suksesit të fushatave elektorale, barazia në shpërndarjen e burimeve financiare mbetet një çështje thelbësore. Në Shqipëri, edhe pse ekzistojnë masa ligjore dhe kuota që synojnë të sigurojnë një pjesëmarrje të barabartë gjinore, realiteti tregon se gratë përballen me një sërë sfidash që i pengojnë të kenë akses të barabartë në fondet e partive politike. Praktikat në terren shpesh reflektojnë një peizazh ku gratë janë ende të nënpërfaqësuara dhe përballen me sfida të shumta, sidomos sa i përket aksesit në financa.

Legjislacioni shqiptar ka bërë hapa të rëndësishëm drejt promovimit të barazisë gjinore në politikë. Ligji nr. 9970/2008 “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri” dhe Ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” synojnë të eliminojnë diskriminimin dhe të krijojnë mundësi të barabarta për të dyja gjinitë në vendimmarrje. Kodi Zgjedhor, i cili parashikon një kuotë gjinore prej 50% për listat shumëemërore dhe 30% për Kuvendin, ka sjellë një rritje të dukshme të numrit të grave në institucione publike.

Megjithatë, në nivelin e financimit të fushatave politike, sfida mbetet e madhe. Edhe pse kuota prej 30% për përfaqësimin e grave ka sjellë disa përmirësime, realiteti i fushatave elektorale dhe i financimit politik tregon se gratë përballen me pengesa të konsiderueshme.

Raportet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se ndonëse dokumentet përfshijnë parimet dhe perspektivën gjinore, praktikat në terren shpesh nuk arrijnë të përputhen me deklaratat në letër, duke nxjerrë në pah nevojën për një qasje më të strukturuar dhe transparente në shpërndarjen e burimeve financiare.

Rrugëtimi i një gruaje në politikë dhe sfidat
Alma Kore, pedagoge me përvojë, me një karrierë të gjatë dhe një pozicion të rëndësishëm brenda strukturave të PD-së, tregon se vendosi të hyjë në politikë për shkak të bindjes se edukimi dhe përfshirja janë themeli i çdo shoqërie të suksesshme. Ajo e sheh politikën si një fushë ku mund të kontribuojë në ndërtimin e një ambienti që promovon barazinë dhe përfshirjen. “Unë jam Kryetare e Gruas në Degën 4 në Tiranë dhe pjesë e Departamentit të Ekonomisë dhe Financës të Partisë Demokratike. Gjithmonë kam besuar se si grua, detyra ime është të sfidoj normat e vjetra dhe të tregoj se udhëheqja nuk është vetëm për burra. Për mua, politika është një mundësi për t’u dhënë zë shqetësimeve të komunitetit dhe për të krijuar ndryshime të qëndrueshme. Kështu vendosa të hyj në politikë përmes listës së kandidatëve të PD-së në Gjirokastër.” Megjithatë, për Almën, kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë. Sipas saj, sfidat e përditshme janë të përziera me detyrat familjare dhe perceptimet kulturore, që shpesh i stigmatizojnë gratë, në një mjedis politik të dominuar nga burra. “Të jesh grua në politikë do të thotë të kesh guximin të sfidosh normat e vjetra dhe të besosh në aftësitë e tua. Në fushatë, përveç garimit për besimin e qytetarëve, duhet të demonstrosh edhe se e meriton mbështetjen financiare – një fushë ku rrjetet tradicionale shpesh janë mbyllur për gratë,” shpjegon ajo.

Në garën për primaret në Qarkun Gjirokastër, Alma fitoi me 400 vota nga 2000 të vlefshme në të gjithë qarkun, një sukses që shënon besimin e qytetarëve në idenë e saj dhe dëshirën për ndryshim. “Për mua, çdo votë ishte një mesazh se është koha që gratë të kenë një zë më të fortë në politikë. Suksesi im është një dëshmi se, me përkushtim dhe guxim, mund të sfidojmë çdo barrierë,” rrëfen Alma.

Sfidat e grave në politikë nuk njohin ndasi partiake. I njëjtë duket se ka qenë rrugëtimi edhe për Anilën, kandidate e PS-së, në platformën “Deputeti që duam”. Anila Ahmataj shpjegon se për të qenë në politikë duhet të përballesh me sfida të ndryshme, që janë të pavarura nga gjinia, por që ndikojnë më shumë gratë. Ajo e filloi rrugën e saj politike që në moshën 25 – vjeçare dhe sot, në moshën 40 – vjeçare, shpreh përkushtimin e saj për të përfaqësuar komunitetin. “Politika nuk është thjesht një karrierë, por një mjet për të ngritur zërin e qytetarëve dhe për të adresuar shqetësimet e komunitetit. Si nënë e një fëmije, sfidat janë të shumta, por ato janë pjesë e një rrugëtimi që na forcon” rrëfen Anila.

Sfida e financimit dhe barrierat e realitetit
Financimi politik për gratë shpesh është një terren sfidues, ku praktikat tradicionale favorizojnë rrjetet që historikisht kanë qenë në duart e kandidatëve burra. “Nga eksperienca ime, Partia Demokratike tashmë po i jep një rëndësi të veçantë përfshirjes së grave në politikë, dhe sigurisht kjo reflekohet edhe në mbështetjen financiare ndaj tyre, ku shpërndarja e fondeve ka qenë transparente dhe barazisht e shpërndarë. Megjithatë shpesh gratë hasin vështirësi në sigurimin e mbështetjes financiare. Praktikat shpesh favorizojnë rrjetet tradicionale të financimit, të cilat janë më të arritshme për burrat”, shpjegon Alma.

Anila shton se, nga përvoja e saj, gratë hasin vështirësi në ndërtimin e lidhjeve me donatorët dhe në sigurimin e mbështetjes organizative, edhe pse ajo ka vendosur të zhvillojë fushatat e saj, duke u mbështetur në vetë aftësitë personale dhe në përpjekjet e saj të përditshme.

“Në fushatat e mia, financimi për gratë është një fenomen ku shpesh ndihen kufizime për shkak të kulturës patriarkale. Diskriminimi gjinor është një pengesë e madhe, dhe rrjetet e mbështetjes financiare, që duhet të jenë të hapura për të gjithë, shpesh janë të domosdoshme për të siguruar një fushatë të suksesshme.”

Kjo vë në pah një realitet të dokumentuar edhe nga studimet e kryera, ku më shumë se gjysma e financimit për gratë vjen nga burime joinstitucionale, në kundërshtim me burimet që janë në dispozicion për kolegët e tyre burra.

Sipas disa studimeve të kryera nga Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”, gratë e konsiderojnë mungesën e mbështetjes financiare nga partitë politike si një nga faktorët kryesorë që pengojnë vendimet e tyre për të hyrë në politikë. Të dhëna të tilla theksojnë një boshllëk të rëndësishëm në sistemin e financimit, duke nënvizuar nevojën për reforma që të krijojnë mekanizma të qartë dhe transparentë për shpërndarjen e fondeve.

Anila Ahmataj shton se, për të siguruar një fushatë të suksesshme, gratë shpesh zgjedhin strategji me buxhete më të ulëta dhe mbështetja e tyre vjen kryesisht nga vetë përpjekja personale dhe organizative e brendshme, pasi mjedisi patriarkal e pengon ndërtimin e rrjeteve të mëdha financiare. Ajo thekson se një strategji efektive është përdorimi i mediave sociale, e cila nga studimet tregon se përdoret nga 82.98% e grave kandidate kundrejt 72.34% të burrave, duke kompensuar kështu mungesën e burimeve njerëzore në fushatë.

Studime të tilla si “Barazia Gjinore, Paratë & Politika” realizuar nga Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” me mbështetjen e National Democratic Institute (NDI), zbulojnë se numri mesatar i anëtarëve në ekipet e fushatës për kandidatët gra është më i ulët (13.09) sesa për kandidatët burra (24.92), duke ndikuar në kosto më të ulët të fushatës për gratë, por edhe në limitimin e ndikimit të tyre, për shkak të një mjedisi më të vogël organizativ.

Tradita dhe marrëdhëniet historike ndërmjet kandidatëve burra dhe sektorit privat avantazhojnë burrat. Si Alma ashtu edhe Anila theksojnë se këto rrjete nuk janë lehtësisht të arritshme për gratë, duke krijuar kështu një diferencë të theksuar në mundësinë e sigurimit të financimit. Bizneset dhe donatorët shpesh preferojnë të investojnë tek kandidatët që përfaqësojnë modele tradicionale të udhëheqjes, duke përjashtuar gratë që ende nuk kanë zhvilluar rrjetet e nevojshme.

Nevoja për reforma
Alma vë theksin mbi rëndësinë e reformave të brendshme brenda partive politike për të garantuar një financim të barabartë. “Politikbërësit dhe partitë duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar se çdo kandidat, pa marrë parasysh gjininë, ka qasje të barabartë në fondet politike,” rrëfen ajo. Kjo përfshin nevojën për krijimin e fondeve të dedikuara për fuqizimin e grave. Modelet ndërkombëtare, si ato nga Panama dhe Kanada, kanë treguar se alokimi i një pjese të caktuar të fondeve për trajnime dhe mentorim për kandidatët gra mund të zvogëlojë hendekun në aksesin financiar.

Strategjitë e fushatës dhe ndikimi i tyre në pjesëmarrjen politike
Përdorimi intensiv i mediave sociale dhe shpërndarja e materialeve promovuese është një strategji e zbatuar nga një përqindje e madhe e grave dhe vajzave gjatë fushatave elektorale, për të maksimizuar ndikimin e tyre, përballë kërkesave për krijimin e ekipeve të mëdha të fushatës, që kërkojnë kosto më të larta.

Sipas të dhënave, gratë dhe vajzat raportojnë se 28.99% e stafit në ekipet e tyre dominohet nga gratë, ndërsa vetëm 9.33% e burrave e raportojnë të njëjtën gjë. Ndërkohë, burrat dhe djemtë kanë më shumë gjasa të raportojnë se ekipet e tyre janë të mbushura kryesisht me anëtarë meshkuj, me një mesatare prej 24.92 anëtarësh krahasuar me 13.09 për kandidatët gra. (Barazia Gjinore, Paratë & Politika)

“Të menaxhosh ekipe të mëdha do të thotë të kesh shpenzime dhe kosto më të larta në fushatë. Për ne gratë, mediat sociale janë një mjet i rëndësishëm që kompenson mungesën e burimeve njerëzore në arritjen e votuesve online dhe komunitetit”, thotë Anila Ahmataj.

Ky ndryshim strategjik thekson se, megjithëse gratë kanë akses më të kufizuar në rrjetet tradicionale financiare, ato arrijnë të përshtatin mënyrat e reja të komunikimit modern për të arritur një prezencë të efektshme në fushatë.

Të dyja të intervistuarat bien dakord me faktin se mungesa e transparencës në shpërndarjen e fondeve dhe varësia nga rrjetet personale janë faktorë kryesorë që pengojnë gratë. Anila thekson se, për të arritur një financim të barabartë, duhet të ndërmerren masa konkrete nga partitë politike dhe strukturat shtetërore për të krijuar mekanizma që sigurojnë ndarje të drejtë të burimeve.

“Organizatat e shoqërisë civile dhe mediat kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e ndryshimit. Ato duhet të presin nga institucionet ndryshime konkrete në politikat e financimit, duke krijuar mundësi të reja për gratë që të ndihen të mbështetura jo vetëm emocionalisht, por edhe financiarisht,” thekson ajo.

Mediat, nga ana tjetër, kanë detyrën të nxjerrin në pah raste konkrete të pabarazisë financiare dhe të raportojnë në mënyrë objektive për sukseset e grave në politikë duke ndërgjegjësuar opinionin publik dhe duke nxitur institucionet në zbatimin e ndryshimeve që do të sigurojnë një financim të barabartë për të gjithë kandidatët, pa marrë parasysh gjininë. Raportet e ODIHR dhe OSBE kanë vërejtur se gratë, edhe pse janë në listat e kandidatëve, shpesh janë të nënpërfaqësuara në mbulimin mediatik. Kjo jo vetëm që ul dukshmërinë e tyre, por edhe ndikon në mundësinë e sigurimit të mbështetjes financiare nga sektorët e ndryshëm.

“Rrjetet personale janë thelbësore, sidomos sepse shumë donacione bëhen në bazë të rekomandimeve dhe kontakteve të besuara.”, thotë Alma. Në një sistem ku burimet financiare shpesh shpërndahen në mënyrë joformale, nevoja për programe mentorimi dhe platforma që lehtësojnë ndërlidhjen mes grave kandidate dhe sektorit privat është shumë e rëndësishme.

Thirrje për reformë dhe bashkëpunim
Barazia në financimin e partive politike nuk është thjesht një çështje e drejtësisë sociale; ajo është një nevojë konkrete për të arritur një demokraci më të fortë, transparente dhe më gjithëpërfshirëse. Përkundër përpjekjeve ligjore dhe deklaratave institucionale, praktikat e financimit në Shqipëri ende mbeten të pashmangshme, duke vendosur gratë në një pozitë sfiduese.

Alma Kore dhe Anila Ahmataj janë shembuj frymëzimi, që na tregojnë se, megjithëse rruga nuk është e lehtë, pasioni, përkushtimi dhe besimi në veten e tyre janë shembuj konkretë se gratë mund të bëjnë ndryshimin. Mesazhi i tyre është i qartë: politika ka nevojë për zëra të ndryshëm dhe për ide të reja, dhe barazia në financim është një hap i domosdoshëm drejt një sistemi politik ku çdo grua ka mundësinë të shkëlqejë. Vetëm nëpërmjet një angazhimi të përbashkët midis partive politike, institucioneve qeveritare, shoqërisë civile dhe mediave, do të mund të ndërtojmë një sistem ku secili kandidat – pavarësisht nga gjinia – ka mundësinë e barabartë për të konkurruar dhe për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri, dhe të ndërtojmë një të ardhme ku gjinia nuk është më një pengesë, por një burim forcimi dhe inovacioni.