Media Integrity Action/ “Mediat përdoren si aksesorë të interesave të tyre”, Mentor Kikia: Armiku i lajmit vetë sipërmarrësit. Sot gazetarët janë të lirë, por lajmi është në burg

Media Integrity Action/ “Mediat përdoren si aksesorë të interesave të tyre”, Mentor Kikia: Armiku i lajmit vetë sipërmarrësit. Sot gazetarët janë të lirë, por lajmi është në burg

Në episodin e katërt të podcastit Media Integrity Action nga Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias ka qenë i ftuar gazetari, pedagogu dhe analisti Mentor Kikia. Ai ka ndarë me gazetarin Altin Mema fillesat e tij në gazetari, ndonëse është diplomuar për shkenca natyre, fizikë dhe më pas me ndryshimet në vend, në fillim vitet ’90 iu përkushtuar profesionit të gazetarit.

Nuk kanë munguar në bisedë ndarja e problemeve të mprehta që ka media sot, e cila përdoret si instrument nga sipërmarrësit për interesa ekonomike.

“Në atë periudhë gazetaria ishte në kushte të vështira, nuk kishte eksperiencë, nuk kishte mjete, kishte vetëm gazeta. Në atë kohë u angazhova në mediat e para dhe më pas si gazetar në Gazetën Shqiptare, e cila ishte një gazetë e botuar në Itali dhe më pas u soll në Shqipëri në 1993 si korrespodent i qarkut të Elbasanit.
Ndryshimi me sot, gjëja e parë janë mjetet e punës. Unë kam mbuluar kronikën e zezë. Për të identifikuar një person që kishte humbur jetën shkonim deri te shtëpia e tij. Mënyra e të kërkuarit të lajmit thellësisht private dhe bashkëpunimi me institucionet ishte jashtëzakonisht i vështirë zhvilloi një gjeneratë gazetarësh më kurajozë”, tha Kikia.

Sipas tij, dy dekadat e fundit kanë sjellë një hov në aspektin teknologjik, ku televizioni zëvendësoi shtypin e shkruar, ndërsa më pas rrjetet sociale nxorën jashtë loje televizionin.

“Informimi përmes rrjeteve sociale ka një avantazh të jashtëzakonshëm sepse e ndjek informacionin në kohë reale, por ka sjellë dhe problemin e madh të dezinformimit dhe keqinformimit. Kjo ka bërë që të jetë një tallava të madhe ku gazetarët do duhet të spikasin me profesionalizmin për të vazhduar që të mbeten ata punëtorët e informimit të saktë dhe serioz të publikut”, tha ai.

Lidhur me nevojën e mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve të medias sa i takon të drejtës së tyre, problejmeve si orë të zgjatura pune, pa shpërblime, mungesë të pagës, Kikia konfirmoi se “realiteti është më keq se keq”.

“Për fat të keq një nga zhvillimet regresive që ka ndodhur në fushën e medias është rënia e mediave në duar sipërmarrësish, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me median. Në fillimet e veta mediat u hapën nga njerëz që kishin lidhje me mediat apo e kishin pasion. Ajo që ndodhi hap pas hapi ishte që dhe këta që krijuan mediat për pasion, iu hynë ethet e parasë u shndërruan në kompani ndërtimi apo tregtare, të tjera media u blenë nga ndërtuesit dhe gradualisht mediat u bënë pjesë integrale e bizneseve të tjera dhe filluan të përdoreshin dhe përdoren si aksesorë të interesave të mëdha të këtyre sipërmarrësve. Për ta bërë më konkrete nëse një sipërmarrës është duke kërkuar një leje ndërtimi në bashkinë e Tiranës dhe nuk po e merr atë leje ndërtimi do e shikosh që ka një qasje kritike ndaj bashkisë, ka një qasje kritike ndaj qeverisë nëse do të marrë një koncesion ekonomik diku dhe në momentin kur e merr këtë që kërkon atëherë e gjithë media vihet në dispozicion të PR të bashkisë dhe PR të qeverisë. Këtu ka humbur misioni i gazetarit. Misioni i gazetarit është të jetë në gjithmonë përballë pushtetit, opozitë me pushtetin në mbrojtje të interesave të qytetarëve, interesave të publikut. Në momentin kur sipërmarrësi e përdor median si instrument për të arritur qëllime të tjera ekonomike, atëherë ka përfunduar këtu”, tha ai.

Kikia solli dhe një përkufizim të tijin se sot gazetarët janë të lirë, por lajmi është në burg sepse lajmi do të dalë në publik vetëm për llogari të interesave të sipërmarrësit.

“Nëse do ta ndaj presionin mbi gazetarin në dy epoka, unë kam qenë gazetar që në fillim të viteve ’90 jam arrestuar, jam dhunuar edhe fizikisht për shkak të lajmeve që kisha shkruar, por me gjithë këtë lajmin e kishte fuqinë e vet. Kur dilte një artikull në gazetarë krijonte zhurmë, shkaktonte një lëvizje të institucioneve. Tani gazetarët nuk rrihen, nuk arrestohen, ka raste kur linçohen publikisht nga politika, por armiku i lajmit është vetë media, vetë sipërmarrësi që kontrollon median sepse ai nuk e lë të lirë.
Kam bërë një përkufizim në një konferencë që dikur gazetarët hynin në burg, por lajmi ishte i lirë. Sot gazetarët janë të lirë, por lajmi është në burg sepse lajmi do të dalë në publik vetëm për llogari të interesave të sipërmarrësit”, tha ai.

Kikia shtoi se në asnjë vend të botës mediat nuk mbijetojnë vetëm si media, janë pronarë të mëdhenj që kanë konsorciume ekonomike që kontrollojnë median, por nuk është pronari që vendos me çfarë lajmi do hapet edicioni i lajmeve apo me çfarë shkrimi do hapet gazeta. “Kanë borde profesionistësh që marrin vendime sa i takon çështjeve të profesionalizmit. Mediat askund nuk janë 100% të pavarura, janë të pozicionuara politikisht, por ka një vijë të kuqe ku profesionalizmi nuk shkelet”, tha Kikia.

Lidhur me punën në media ai tha se gazetarët janë ata që shkruanin pa fund për punën në të zezë, por ndërkohë vetë ata punonin në të zezë.

“Unë kur kam shkuar të konfirmoj vitet e punës në sigurime shoqërore kam parë 10 vite me zero kontribute, asnjë qindarkë të derdhur nga sipërmarrësi mediatik ku unë kisha punuar. Pra, ne kemi vajtuar të tjerët pa vajtuar veten tonë. Marrëdhëniet e punës të gazetarëve me sipërmarrësit sot janë marrëdhënie krejtësisht informale dhe pse ka një përparim të dukshëm në formalizimin e mënyrave të pagesave, jo vetëm në media, prapë gazetari nuk ka një marrëdhënie të konsoliduar pune dhe e bën shumë të ndjeshëm dhe shumë të nënshtrueshëm. Nëse pronari i një medie dëshiron që një gazetar ta heqë nga puna, kjo ndodh vetëm me një mesazh telefonik, ti nuk do punosh me këtu. Atëherë çfarë kuraje do ketë ky gazetar?!”, pyet Kikia.

Ai theksoi se lindja e një sindikate për të ndihmuar sado pak në qetësimin e këtij kaotizmi në marrëdhënien e punës së gazetarit është një lajm shumë i mirë.

“Në Shqipëri ka disa shoqata, më së shumti promovuese, por nuk kanë natyrën e sindikalizmës sepse ata nuk gjenden asnjëherë aty ku gazetari ka nevojë për t’u mbrojtur, nuk gjenden asnjëherë aty ku gazetari dhunohet, ku konfrontohet me qeverinë e mbi të gjitha me punëdhënësin”, tha ai.

Kikia foli dhe për largimet e padrejta nga puna në Radio Televizionin Shqiptar.

Altin Mema: Largimet nga puna në RTSH, a e dëmton dhe a e frikëson gazetarin e mediave private kur një institucion publik vepron në këtë mënyrë duke shkelur ligjin?
Mentor Kikia: E gjitha është frymë, absolutisht ndikon. E kam ndjekur fushatën e shkarkimeve ne RTSH dhe është dëshmi e asaj fryme që ekziston në të gjithë komunitetin mediatik në Shqipëri ku pronari apo drejtuesi i jep të drejtë vetes që gazetarë që kanë edhe vite eksperiencë sepse dhe eksperienca në media nuk është thjesht vjetërsi pune, por mundësi që ti ta bësh më mirë punën dhe kur pa u menduar gjatë këtij njeriu i thonë nesër nuk je më në punë, kjo padyshim që është tronditje për besimin, për gazetarin i cili kur shikon se si kolegë të tij hidhen në rrugë për hiç gjë të jetë më i nënshtruar dhe të mos ketë kurajën të ngrejë zërin.
Niveli i profesionalizmit në media ka rënë sepse përgjithësisht sipërmarrësit janë të prirur të marrin gazetarë që i paguajnë më lirë. Ka filluar industria e copy paste.

Po mbyllja e Tik Tok si një media sociale a do sjellë zgjidhje?

“Rrjetet sociale kanë një efekt anësor negativ të jashtëzakonshëm në shoqërinë globale dhe sot nuk është një problem shqiptar. Qenia përballë një pusi që nuk ka kurrë fund, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët prodhon një impakt të jashtëzakonshëm negativ. A duhet kontrolluar, është ulëritëse nevoja, për të vendosur filtra, kufizime apo përmbajtjes që shfaqin. Parë në këtë këndvështrim, nevoja për të ndërhyrë është e madhe, e jashtëzakonshme, por nuk është mbyllja mënyra e duhur. A do zgjidhë gjë? Unë them jo, zero sepse të rinjtë do gjejnë hapësira të tjera. Në këtë epokë nuk krijohet vakum, sapo krijohet e zë diçka tjetër. Të kishte një studim paraprak, të tipit sa përgjegjës janë rrjetet sociale. Ka një mori problemesh se si prindërohet. Shkolla ka humbur dimensionin edukativ. Duhej të ekzaminohej problemi dhe më pas të zgjidhej. Ndoshta ka arsye të tjera nga pas, siç është impakti që ka ky rrjet në përhapjen e mesazheve, mes të cilave dhe të mesazheve me përmbajtje politike. Tik Tok-u mendoj se për pak do të mbyllet dhe do të rihapet”, tha Kikia.

https://www.youtube.com/shorts/knlIJZ_Z-nA

Ndërkohë që numri i të rinjve që zgjedhin gazetarinë apo median si punë ka rënë, Kikia dha edhe një inkurajim.

“Gazetaria nuk është thjesht një vend pune që ti e synon, siç mund të jetë në administratë apo kompani private dhe që të siguron jetesën. Gazetaria nuk të ndihmon që ti të bësh një jetë të mirë. Gazetaria sa është profesion është dhe pasion. Unë i nxis të rinjtë ta ndjekin këtë pasion. Gazetaria vërtetë po kalon një moment të vështirë, por unë mendoj që nuk do jetë e përjetshme. Inkurajoj ata që kanë pasionin, ky është një profesion jashtëzakonisht i bukur. Përtej skepticizmit dhe problemeve që dëgjojnë, unë i inkurajoj që ta ndjekin sepse është një profesion jashtëzakonisht i bukur dhe mbi të gjitha është një profesion i dobishëm për shoqërinë dhe demokracinë”, u shpreh Kikia.